Disa aktivistë të organizatave studentore dhe shoqërisë civile janë sulmuar brutalisht pasditen e së mërkurës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku kishin planifikuar të mbanin një prezantim lidhur me kushtet e mjerueshme të minatorëve të Bulqizës.

Para se të fillonte prezantimi i planifikuar mbi kushtet e mjerueshme të punës së minatorëve të Minierës së Kromit në Bulqizë, aktivistët janë sulmuar nga një grup personash që kundërshtonin aktivitetet e aktivistëve të shoqërisë civile.

Një video të cilën e ka siguruar Insajderi, shfaq sulmin brutal të këtij grupi ndaj aktivistëve të lëvizjes kosovare studentore.

Aktivisti i shoqërisë civile, Durim Jasharaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, i ka quajtur “banditë” personat që kryen sulmin teksa është shprehur se sulmuesve u ka penguar prezantimi që aktivistët kishin planifikuar ta mbanin.

“Në korridorin e katit të dytë, Fakulteti Filizofik, Prishtinë, nga ni grup banditësh jemi sulmuar. Atyre u pengonte një prezantim që do mbanim me profesorin dhe aktivistin Arlind Qorri si dhe me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Bulqizës, Elton Debreshi”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka treguar se prezantimi ka pasur të bëjë me sindikalizmin në Shqipëri.

“Ne do te diskutonim për kushtet e mjerueshme te minatorëve në Bulqizë. Ata qe na sulmuan na thane qe kjo është veç ni propagandë e disa komunistëve te korruptuar”, ka deklaruar Jasharaj, shkruan Insajderi.

Ndonëse nuk e ka drejtuar gishtin tek asnjë emër i përveçëm, Jasharaj ka nënkuptuar se sulmi mund të jetë urdhëruar nga Saimir Mane, oligarku shqiptar, kompania e të cilit ka privatizuar Minierën e Bulqizës.

“Ata akuzonin profesorin dhe aktivistin Arlind Qori si dhe sindikalistin tashme te përjashtuar Elton Debreshin. Po jua le juve ta gjeni se ke ata mbronin. Po jua le juve ta gjeni se kush i urdheroi kete grup banditesh ta sabotonin organizimin”, ka nënvizuar aktivisti Durim Jasharaj.

Kompania “Albchrome”, pjesë e grupit Balfin nën pronësi të Saimir Mane, vitin e kaluar ka shkarkuar nga puna kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Bulqizës, Elton Debreshin.

Për këto vendime, “Albchrome”, në dhjetorin e vitit të kaluar është vënë në hetim administrativ nga Inspektorati Shtetëror i Punës, e akuzuar se ka larguar nga puna krerët e një sindikate të re, të sapo regjistruar nga minatorët e minierës së kromit në Bulqizë. /Insajderi.com

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu