Prestigjozja britanike “The Guardian” ka publikuar një shkrim në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi.

The Guardian shkruan se, referuar një dokumenti sekret të Shëndetit Publik në Angli (PHE) për zyrtarë të lartë të NHS, epidemia e koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar do të zgjasë deri në pranverën e ardhshme dhe mund të bëjë që 7.9 milion njerëz të përfundojnë të shtruar në spital.

Sipas The Guardian, në dokument thuhet se zyrtarët e shëndetësisë që merren me virusin kanë pranuar për herë të parë se ata presin që Covid-19 të qarkullojë për 12 muaj rresht.

Këshilltari kryesor i qeverisë, profesor Chris Whitty, e ka përshkruar këtë shifër si skenarin më të keq të mundshëm dhe sugjeroi që numri i të infektuarve do të rezultonte më i ulët sesa parashikimi.

Megjithatë, raporti sqaron se 4/5 persona të popullsisë “pritet” të infektohen me Covid-19.

Sipas prestigjozes britanike, në dokument thuhet:

Rreth 80% e popullsisë pritet të infektohen me Covid-19 në 12 muajt e ardhshëm, dhe deri në 15% e tyre (7.9 milion njerëz) mund të kërkojnë të shtrohen në spital.
Dokumenti përcakton se sa rëndë mund të ndikojë Covid-19 në shëndetin publik dhe atë të personelit në shërbimet kryesore siç janë: Spitalet, policia, zjarrfikësja dhe sektori i transportit.

Sipas The Guardian, dokumenti është hartuar nga ekipi i Gatishmërisë dhe Emergjencës dhe është aprovuar nga Dr Susan Hopkins, zyrtari kryesor i Shëndetit Publik, që merret me shpërthimin e koronavirusit.

Profesori i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore, Paul Hunter, tha:

Gjëja që më shqetëson më tepër është reagimi i publikut kur të marrë vesh se koronavirusi do të zgjasë 12 muaj. Duket e pabesueshme që do të zgjasë një vit. Por kjo shifër nuk mund të vlerësohet, ose kuptohet mirë. Unë mendoj se koronavirusi do të “zhduket” në verë, nga fundi i qershorit, dhe do të kthehet sërish në nëntor, njësoj siç ndodh me gripin e zakonshëm sezonal. Mendoj që koronavirusi do të jetë ‘i përhershëm’, por me kalimin e kohës efektiviteti i tij do të zbehet.
The Guardian shkruan se nëse virusi do të vijojë të qarkullojë edhe për një vit, kjo gjë duket se shkruan shpresat që ngrohja e motit do ta vriste atë.

Dokumenti zbulon gjithashtu se 500,000 prej 5 milion njerëzve që konsiderohen “jetikë”, për shkak se janë të punësuar në shërbimet kryesore publike, do të infektohen nga koronavirusi.

Ende ekziston shqetësimi se virusi mund të rishfaqet në muajt e vjeshtës ose dimrit, edhe nëse gjatë verës mund të “zhduket”, shkruan The Guardian.

Derisa të zhvillohet një vaksinë, mbase brenda 18 muajsh, punonjësit e shëndetit nuk mund të jenë të sigurt se mund t’i mbrojnë njerëzit nga koronavirusi.

Burimi: The Guardian|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu