Gjithë natën mes së enjtes dhe të premtes kanë qëndruar të padezinfektuara ambientet ku ka qëndruar gjatë kontrollit 77-vjeçari nga Vitia i cili u konfirmua si i prekuri i parë nga koronavirusi në Kosovë.

Doktoresha dhe drejtoresha e QMKF-së në Viti, Vjollca Kadolli, ka thënë për Gazetën Sinjali se i infektuari me koronavirus kishte kontakte me 5 persona nga personeli mjekësor, derisa ambienti ku kishte qëndruar 77-vjeçari natën e së enjtes, ishte dezinfektuar vetëm të nesërmen në mëngjes.

“Pacienti ka ardhë rreth orës 21:00 nëse s’gaboj. E ka kontrollu doktori. Por aty kanë qenë 5 persona të personelit mjekësor që kanë qenë me maska dhe pajisje të nevojshme”.

“Ata nuk kanë dyshu që pacienti mundet me pasë koronavirus dhe hapësira ku është kontrollu ai nuk është dezinfektu. Ka qëndru ashtu deri të nesërmen, kur kam shku unë. Më vonë e kemi marrë vesh që ambienti ka qenë i padezinfektuar dhe e kemi bë dezinfektimin. Por më shumë ka qenë frikë”, ka thënë Kadolli.

Fillimisht, 17 punëtorë shëndetësorë, përfshirë doktorët, kishin qëndruar të vetizoluar në ambientet e QKMF-së, e më pas janë shpërndarë nga 2-3 persona nëpër shtëpi të pabanuara, duke respektuar rregullin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vetizolim për 4 ditë.

“Ne vetizolimin fillimisht e kemi bë vetë, me vetdëshirë pasi që jemi frikësu se kemi ra në kontakt me ambientin ku ka qenë pacienti. Dmth nuk ka qenë ndonjë urdhër prej lart. Ka qenë vendimi i yni. Natën e parë kemi qëndru në QKMF, por duke parë që aty jemi shumë veta dhe nuk ka pasë logjikë që të izolohemi ashtu, jemi shpërndarë në shtëpi ku s’jeton askush nga 2-3 veta. Kemi gjetë shtëpi të pabanuara nga shtëpi të familjarëve që jetojnë jashtë dhe jemi shpërnda nga 2-4 veta për mos me ra në kontakt shumë me njëri-tjetrin e familjarët tanë”, ka thënë doktoresha.

Ajo ka treguar se autoritetet komunale i kanë furnizuar ata me ushqim dhe se gjendja e tyre shëndetësore është shumë e mirë.

Sipas Kadollit, deri tani asnjëri nga punëtorët e personelit shëndetësor që u vetizoluan nuk kanë shfaqur simptoma të pandemisë Covid-19.

Deri tani në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 9 të infektuar me koronavirus

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu