Deputetja e LDK’së, Marigonë Geci, ka përdorur foltoren e Kuvendit, që gjatë debatit para votimit të Pakos se Rimëkëmbjes Ekonomike, të shpërthejë në akuza ndaj PDK’së dhe ish-krerëve të UÇK’së për vrasjet politike të pasluftës në Kosovë.

Geci tha se për këtë ajo ka tërhequr nënshkrimin e saj për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, pas pajtueshmërisë që edhe PDK’ja ta votojë pakon.

“E kam tërheq nënshkrimin, pasi kryetari dhe ish-kryetar i PDK’së janë të akuzuar edhe zyrtarisht për vrasjet e zyrtareve të LDK’së pas luftës”, tha vajza e ish-deputetit të LDK’së, Gani Geci.

Ka qenë kryesuesja e Kuvendit, Arberie Nagavci, e cila i ka kërkuar deputetes që të mos dalë jashtë rregullores së punës së Kuvendit, me fjalimin e saj, shkruan Reporteri.net.

Madje, Nagavci e VV’së edhe i ndërpreu fjalën, por pas insistimit të Gecit, i dha serish mundësinë që të përdor mikrofonin, për t’ia ndërprerë serish atë, pasi deputetja e LDK’së nisi t’i thërrasë emrat e zyrtarëve të kësaj partie që janë vrarë pas luftës, duke aluduar se këto vrasje janë kryer nga ish-eprorët e UÇK’së njeherit edhe ish-drejtues të PDK’së, pas luftës.

Përveç Nagavcit, ndaj fjalimit akuzues të Gecit, në sallë, nga ulëset e tyre, kanë reaguar edhe deputetët e PDK’së.

Ndryshe, në Kuvend është duke u zhvilluar seanca e jashtëzakonshme ku pritet të votohet Projektligji i Rimëkëmbjes Ekonomike në lexim të dytë.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka kaluar në lexim të parë në tentimin e shtatë, ndërkohë që për votim në lexim të dytë, Qeveria ka marrë edhe përkrahjen e PDK-së, duke pranuar kushtet e saj, ndaj edhe votimi pritet të kryhet sot.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu