Shkumbin Mehmeti ishte pjesë e grupit të njerëzve që kryen disa prej rasteve më të rënda kriminale të pasluftës, përfshirë edhe vrasjet politike.

Ai tash është dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale të Kosovës. Mirëpo, Shkumbin Mehmeti kishte akuzuar vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi për organizim të vrasjeve të pasluftës në Kosovë.

Vrasja e deputetit të LDK-së, Smail Hajdari, dhe ajo e Tahir Zemajt, është bërë me urdhër të vëllezërve Ibrahim dhe Qerim Kelmendi. Kështu kishte thënë Shkumbin Mehmeti, i cili bënte pjesë në një grup vrasësish me dy vëllezërit.

Ai madje kishte thënë se Florim Ejupi, është njeri i Kelmendëve, i ngarkuar për kryerjen e disa vrasjeve.

E, ky i fundit, pra Florim Ejupi, ditë më parë ka thënë se njerëz brenda LDK-së e kanë vrarë xhaxhain e Armend Zemajt, Tahir Zemajn.

“Armend Zemaj nuk e di çka po bën. Spo them njerëzit e Armendit, por larg nuk shkon prej atyre që e kanë vra Tahir Zemajn. Spo them të rrethit familjar, por partisë vet. Po aty në parti i kanë gjithë, por s’dojnë me u zbulu këta”.

‘Qaty ju del, po s’po dojnë me nxan, e me hetu. keni me u bind se aty n parti ka me dalë”, ka thënë Ejupi.

Por, cila ishte e vërteta e përplasjeve mes Tahir Zemajt dhe vëllezërve Kelmendi, që ishin “shefat” e Florim Ejupit, të paktën kështu kishte deklaruar Shkumbin Mehmeti.

Ja çfarë kishte shkruar Tahir Zemaj, për LPK-në dhe për themeluesit e këtij subjekti, që besohet të jenë Qerim e Ibrahim Kelmendi.

Tahir Zemaj, në librin e tij, kishte akuzuar LPK-në, se në mesin e tyre ka ekzistuar një grup pranë sektorit Logjistik të LPK-së që merrej veçanërisht me pengimin e armatosjes së luftëtarëve shqiptarë të njësive operative të Ministrisë së Mbrojtjes.

Tahir Zemaj kishte zbuluar se LPK-ja, kërkonte që më parë të shkatërronte konkurrentin për pushtet brenda shqiptar, dhe këtë ta bënte nëpërmjet Serbisë, me shpresë se kështu do ta kishte më të lehtë të vinte në pushtet.

Kush i bllokonte armët që nevojiteshin për çlirimin e Kosovës?

“Ekzistonte një grup pranë sektorit Logjistik të LPK-së që merrej veçanërisht me pengimin e armatosjes së luftëtarëve shqiptarë të njësive operative të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky grup duke vënë re kualitetin dhe sasinë e armatimit të porositur nga Ministriesë së Mbrojtjes, i cili, po të arrinte në terren dhe të përdorej në luftë kundër forcave serbe do të siguronte një epërsi të padiskutueshme ushtarake dhe morale te Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Do të thotë do të sigurohej epërsia e luftëtarëve shqiptarë të këtyre njësive ndaj atyre të Serbisë. Kjo gjë nuk mund të tolerohej nga LPK e cila kërkonte që më parë të shkatërronte konkurentin për pushtet brenda shqiptar, dhe këtë ta bënte nëpërmjet Serbisë, me shpresë se kështu do ta kishte më të lehtë të vinte në pushtet.

Miopia e një lëvizjeje të tillë politike, ka qenë dhe është e rrezikshme për nteresat e kombit shqiptar, por për shtabet staliniste të LPK-së, pushteti personal është më i rëndësishëm se sa liria e kombit, përparësia ideologjike enveristo- staliniste është më e rëndësishme se sa pluralizmi politik dhe demokracia.

Nga mesi i muajit qershor 1998 në LPK ekzistonin të paktën tri fraksione kryesore që udhëhiqeshin nga Ibrahim Kelmendi, Xhavit Haliti dhe Muhamet Kelmendi. Që të tri këto grupe instruktoheshin nga komesarë specialë të Partisë Socialiste, të Qeverisë së Shqipërisë së asaj kohe, të Sherbimit Informativ Kombëtar dhe të shërbimeve speciale të ministrive të rendit dhe të mbrojtjes.

Publikisht janë paraqitur emrat e Bedri Islamit, Koço Danajt, Dilaver Goxhaj, Shaban Brahaj, Fatos Klosi dhe një pjesë e mirë e komunikatave të fillimit në emër të Shtabit të Përgjithshëm janë përpiluar nga Shaban Sinani, ish-zëdhënës i Ramiz Alisë.

Fraksioni i LPK-së, drejtuar nga Ibrahim Kelmendi, bashkëpunonte me pjesën tjetër të LPK-së, vetëm kur vinte puna për të bllokuar armatimin, për të bllokuar veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Një degë e këtij fraksioni qe instaluar në MM dhe përbëhej nga Xhafer Jashari, shef i logjistikës, zëvendësi i tij ka qenë Tahir Zejnullahu. Fadil Demiri, Ramadan Gashi, Binak Gashi, Agim Hazirin Skender Hasimi, Armando Arbana, Genc Kelmendi etj. Këta njerëz pas vrasjes së Ahmet Krasniqit kanë marrë fuqi të madhe në Ministrinë e Mbrojtjes duke u bërë krahu i djathtë i ministrit të ri, zotit Bicaj.

Për të ilustruar këtë të vërtetë po sjell edhe emrin e një nënoficeri Ramadan Gashi, që drejtonte të gjitha referimet. Të gjithë ushtarakët nga terreni raportonin para ministrit në prezencën tij. Behxhet Mehmeti, (Bajrami) një njëri i LPK-së, jo fort i pastër para drejtësisë zvicerane, vjeni dhe vepron pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që ministri Bicaj nuk bënte asgjë pa praninë e këtyre njerëzve.

Vetë ish ministri mund ta shpjegojë më mirë pozitën e tij, veprimet dhe mos veprimet në këtë drejtim. Të gjitha strukturat ushtarake të Shqipërisë, ushtria, policia, policia financiare, SHIK-u etj, kanë synuar shkurajimin e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Lind pyetja: pse armatimi, që blihet dhe u dërgohet njësive të Ministrisë së Mbrojtjes, duhej të kalonte përmes duarve të Nasim Haradinajt? Ministri Bicaj duhet të ketë një përgjigje për këtë pyetje të thjeshtë. Ministri duhet të ketë informacione se sa herë është shitur, se çfarë drejtimi ka marrë dhe ku ka përfunduar armatimi modern. Unë kam përshtypjen se i gjithë ky pështjellim është bërë në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm të LPK-së.

Për këtë shkak Ministria e Mbrojtjes është detyruar të armatosë njësitë e veta, 6 brigadat e vendosura në Verim me armatim të vjetër kinez e sovjetik. Në fakt të njëjtin fat kanë pasur edhe njësitë që përgatiste dhe armatoste Shtabi i Përgjithshëm i LPK-së. Edhe armatimi i tyre ka qenë i të njëjtës kategori.

Këtu duket loja e dyfishte që bënte qeveria e Fatos Nanos me luftëtarët shqiptarë, nga njëra anë i detyronte të blinin armatim të cilësisë së dobët nëpër Shqipëri, me një çmim marramendës, duke çarmatosur shqiptarët, nga ana tjetër i vinte luftëtarët shqiptarë në pozita inferiore armatimi me kundërshtarët e tyre serbë. Pra as Serbia nuk dëmtohej dhe shqiptarët e armatosur, tmerri i qeverisë së ardhur në pushtet me gjak, çarmatoseshin.

Për armatimin e ardhur nga importi, në Ministrinë e Mbrojtjes ekzistojnë dokumente, që, megjithëse i pajisur sipas të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare për kalime tranzit, për kalimin e tij na është dashur të paguajmë shuma ekstravagante pranë autoriteteve policore dhe të shërbimit informativ në port, për t’i kaluar në drejtim të veriut dhe më pas Kosovës.

Ka pasur shtete që na kanë dhuruar armë, por që kërkonin garanci kalimi ilegal nëpër Shqipëri. Ne nuk kemi mundur t’i marrim ato armë pasi porti i Durrësit, Aeroporti i Rinasit dhe të gjitha pikat e hyrjes e daljes nga Shqipëria ruheshin me fanatizëm nga “bodigardët” e Serbisë në Tiranë.

Po në atë takim janë marrë vendimet dhe janë caktuar njerëzit që do të merreshin me rimobilizimn dhe riorganizimin e brigadave të tërhequra. Ideja ishte përqendrimi i tyre në një bazë stërvitore dhe përgatitja për aktivitetet e ardhme luftarake në terren.

Shtabi Suprem ka përcaktuar detyrat duke më caktuar mua të merresha me detajet. Unë kam emruar eprorët Esat Ademaj, Skender Rexhahmetaj, Gjukaj, dhe Isuf Haklajn, që të bënin pranimin e ushtarëve dhe eprorëve, të bënin transportin e tyre për në Papaj, furnizimin e tyre me armë dhe uniforma dhe fillimin e rehabilitimit dhe stërvitjes së tyre”, thuhet mes të tjerave në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”.

Kujtojmë se emri i Florim Ejupit është i njohur që nga pas lufta.

Ejupi ishte arrestuar nga policia e UNMIK-ut në atëkohë derisa ishte arratisur nga burgu ushtarak në kampin e Bondsteelit, për t’u arrestuar përsëri në Tiranë, ndërkaq, në vitin 2009 i njëjti u lirua në mungesë të provave.

Florim Ejupi ishte dënuar me 40 vjet burgim, derisa është liruar nga Burgu i Dubravës pas tetë vitesh që kishte qëndruar në qeli.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu