Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj disa prej ish-figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zaimi reagoi ndaj deklaratave në të cilat thuhej se Vetëvendosje iu gëzu arrestimit të Thaçit dhe Veselit, ai tha se kush thotë se VV nuk e mbron UÇK-në e ka gabim.

“Sot, normal, si çdo shqiptar na dhemb, kur shohim që çohet në Hagë, edhe Veseli e Thaçi. Solidarizohemi me ta, edhe pse na kanë sharë e rrahur me polici speciale nëpër sheshe, kur ne protestonim kundër veprimeve të tyre: fusnotës, dialogut të padrejtë, gjykatës speciale, zajednicës, ndarjes së Kosovës, etj. gjëra të cilat edhe ata vetë, vite më vonë i denoncuan si të dëmshme”, shkroi Zaimi, përcejll “Bota sot”.

Postimi i plotë

Pafajësi për UÇK-në – Drejtësi për Astritin

Kush thotë se Vetëvendosja nuk mbron UÇK-në e ka gabim. Me fjalë dhe me vepra, sa ka mundur, Lëvizja e ka mbrojtur UÇK-në dhe është e vetmja që vazhdon punën në atë rrugë ideore.

Por pazaret dhe dhuna e partive të tjera asokohe kanë qenë më të forta se protestat tona – ato e prodhuan Gjykatën Speciale.

Sot, normal, si çdo shqiptar na dhemb, kur shohim që çohet në Hagë, edhe Veseli e Thaçi. Solidarizohemi me ta, edhe pse na kanë sharë e rrahur me polici speciale nëpër sheshe, kur ne protestonim kundër veprimeve të tyre: fusnotës, dialogut të padrejtë, gjykatës speciale, zajednicës, ndarjes së Kosovës, etj. gjëra të cilat edhe ata vetë, vite më vonë i denoncuan si të dëmshme.

Nuk mbajmë inat me ta pse na kanë trajtuar keq e armiqësisht sepse dimë të falim. Por as nuk e kemi zemrën plot për t’i dashur, sidomos sot që është përvjetori i vrasjes në burg të Astritit. Sharjet falen, por krimet e padrejtësitë nuk i falim dot. UÇK-në e duam pa rezerva, por ata vetë u ndanë prej UÇK-së, vepruan edhe kundër saj, sepse menduan se lufta kishte mbaruar e kishte ardhur koha e sundimtarëve.

Shpresojmë që të shpallen të pafajshëm për luftën, e shpresojmë që të mbajnë përgjegjësi, para institucioneve të Kosovës, për veprimet e veta në liri.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu