Përplasjet se kush po tenton që ta shes Kosovën në mes të Hashim Thaçit e Ramush Haradinaj kanë marrë fund. Të dy liderët e shtetit, kryeministri në detyrë e presidenti, posti i të cilit së fundmi është bërë pjesë e pazarit për koalicion, janë parë në shoqëri të mirë me njëri tjetrin, pas një periudhe disa vjeçare kur të dy kishin deklaruar se as nuk komunikojnë mes vete.

Në vitet kur Thaçi e Haradinaj udhëhoqën në pozitat më të larta të shtetit, patën jo pak përplasje që nuk i kursyen as nëpër paraqitje televizive. Rrjedhimisht, kryeministri e presidenti kishin ngrirë krejtësisht raportet mes vete.

Thyerja e akullit u vërejt kur për herë të parë pas shumë kohësh, të dy këta patën një qëndrim të njëjtë sa i përket temave me interes për vendin.

Derisa, kryeministri shqiptar, Edi Rama akuzonte Kosovën për mospjesëmarrje në Samitin e Tiranës, e deklaroi se nuk e ka ftuar Haradinajn, ishte Thaçi ai që tha se pavarësisht ftesës, asaj nuk do t’i përgjigjeshin pozitivisht.

Kështu, pak ditë pas kësaj ngjarje, Thaçi e Haradinaj janë parë në shoqëri të mirë, derisa, kanë qëndruar së bashku gjatë gjithë pritjes në Ipeshkvi që u mbajt mbrëmë.

Si rrallë herë, të dy këta janë parë duke qëndruar në krah të njeri tjetrit, derisa, gjatë tërë kohës kanë biseduar së bashku.

Madje, Thaçi e Haradinaj para mediave dolën për një prononcim dolën së bashku, por, që ishte kreu i shteti ai që i dha përparësi për të folur, kryeministrit në detyrë.

Thyerja e akullit në mes të Thaçit e Haradinajt vjen pas një periudhe të gjatë kur këta të dy kishin raporte të acaruara.

Përplasjet kishin vazhduar me intensitet të shtuar, derisa të dy akuzonin njëri – tjetrin për angazhim në dëm të shtetit të Kosovës.

Gjithçka nisi fillimisht kur Hashim Thaçi e solli në jetë idenë për shkëmbim me territore, si pjesë të marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kur Thaçi kishte proklamuar idenë për shkëmbim me territore, në këtë kohë, nga liderët në vend jepeshin deklarata diametralisht të kundërta për arritje të marrëveshjes.

Haradinaj kishte qenë shumë i zëshëm kundër kësaj ide, për të cilën thoshte se do të thotë luftë. Kryeministri, tash në detyrë i bënte thirrje presidentit që të mos e mashtrojë popullin e Kosovës as me ‘korrigjim të lehtë’ të kufijve. Thaçi në anën tjetër thoshte se çdo mosdëgjim apo kryeneçësi është ana e gabuar e historisë.

Për territore dy liderët e vendit kishin diskutuar edhe në një darkë të tensionuar në shtëpinë e ministrit në detyrë, Behgjet Pacollit.

Në një konferencë për media, Haradinaj kishte deklaruar se darka nuk ishte e qetë për shkak se në tavolinë ai e Thaçi kishin diskutuar për idenë e korrigjimit të kufijve.

”Kemi pasur një darkë me Presidentin Thaçi. Patëm rast të bisedojmë gjatë, kishim një bisedë herë me tensione herë të zakonshme. Këto qëndrime ia kam paraqitur edhe ndërkombëtarëve. Besoj se qëndrimet tona i dijnë të gjithë, s’ka ndryshime”, pati thënë Haradinaj.

Pos idesë më territore, për të cilën për një kohë të gjatë vazhduan polemikat, Thaçi e Haradinaj folën kundër njëri tjetrit edhe pas vendimit për vendosje të taksës 100 për qind për produktet serbe e boshnjake nga qeveria e Kosovës.

Presidenti thoshte se Kosova nuk e ka luksin që të ju thotë jo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e se e akuzonte Haradinajn për prishje të marrëdhënieve me ndërkombëtarët. Në anën tjetër, kryeministri, tash në detyrë deklaratave për prishje të marrëdhënieve me SHBA-në iu ishte përgjigjur duke ironizuar se “Bora do të shkrihet dikur”. Thaçi i kishte reaguar të njëjtit duke thënë se uron që të mos bëhet “skllotë”.

Hardinaj pas një mbledhje të qeverisë, pati deklaruar se “Ne e duam shumë presidentin”.

“Për presidentin më keni nxënë ngushtë, se si kam pa këto intervista. E kam pa që edhe klani e ka pas. Nuk i kam pa, nuk kam koment. Na e duam shumë presidentin, na jemi Qeveria, i kryejmë punët tona”, pati deklaruar Haradinaj, duke shtuar se nuk e ka ndërmend që të lëshojë pe për taksën.

Me qëndrime krejt të ndryshme liderët e vendit kishin shkuar edhe në Samitin e Berlinit. Hardinaj kishte zbuluar detaje nga takimi, duke thënë se ishin Thaçi dhe Edi Rama ata që i kishin bërë presion më shumë se presidenti serb në sy të të gjithë liderëve për të hequr taksën.

Haradinaj thoshte se Thaçi dhe Rama kishin folur në gjuhën angleze dhe gjuhë tjera me qëllim që ta kuptojnë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, si mikpritës të Samitit të Berlinit.

Përvec deklarimeve në distancë, ishte vetë Haradinaj ai që tregoi se ani pse të dy ishin në pozitat më të rëndësishme të shtetit, kishin një kohë të gjatë që nuk takoheshin, e as nuk komunikonin fare mes vete.

“Ka një kohë që kemi raporte të ftohura. Nuk kemi komunikim. Është një kohë bukur e gjatë që s’na ka rënë të komunikojmë me Presidentin Thaçi, të kemi biseda e takime”, kishte thënë Haradinaj.

Përplasje të dy kishin pasur edhe për Milan Radojiçiqin i cili po kërkohet nga institucionet e Kosovës si i dyshuar në përfshirjen e vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

Haradinaj kishte përmendur Thaçin edhe në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Përderisa reagimi i tij i menjëhereshëm ishte se s’kishte pasur informacione se çka ishte planifikuar, Haradinaj kishte deklaruar se për këtë kishin pasur informacione akterët e lartë të sigurisë, te të cilët ishin dhënë urdhërat për operacionin.

Haradinaj dhe Thaçi ishin përplasur edhe për numrin e veteranëve, në kohët kur po hetoheshin keqpërdorimet me lista.

Derisa Thaçi kishte thënë se nuk ishin më shumë se 15 mijë pjesëtarë në UÇK, Haradinaj kishte zgjedhur që t’ia përmende atij qëndrimin në hotelin “Rogner” në Tiranë, gjatë luftës.

“A i ka numru edhe ata që kanë qenë në Rogner”, kishte deklaruar ai, duke thënë se në luftë kishin qenë 50 mijë luftëtarë.

Gjatë natës së mbrëmshme ndërkaq, Thaçi dhe Haradinaj nuk kanë komunikuar me të parin e VV’së e kryeministrin në ardhje, Albin Kurtin.

Loading...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu