Të premten në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili pritet të kalojë pas shumë kohësh.

Për t’iu përgjigjur pyetjes së qytetarëve se kur mund të tërhiqen paratë nga Trusti, Gazeta Express ka kontaktuar me zëdhënësin e këtij institucioni, Jeton Demi.

Gjatë bisedës, Demi tha se tërheqja e parave varet nga disa faktorë dhe nuk mund të jap ndonjë afat të caktuar kohor.

“Koha e tërheqjes së mjeteve varet nga disa faktorë: Procedurat bankare, fluksi ose numri i kërkesave e të tjera detaje teknike. Andaj nuk mund të japim një afat të saktë sa kohë merr tërheqja”, tha Demi.

Ndërkohë, në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, sot ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Projektligji ka kaluar me kushtet të cilat i ka vendosur Partia Demokratike e Kosovës.

“Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë dhe dhe rimbursimi i mjeteve për 10% nga Trusit për ata që kanë deri në 10 mijë euro”, janë kushtet e propozuara nga PDK-ja.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu