Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ngjizur në popull rrugës së saj kishte marrë mbështetjen e superfuqive botërore.

Paraprakisht në rresht të kësaj ushtrie kanë qëndruar dhe kanë dhënë betimin individë nga shtetet më të forta evropiane, por edhe prej shteteve përtejoqeanike.

Për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat Kuvendi i Kosovës i themeloi më 2015 me mbështetjen e po këtyre shteteve, disa nga ata pjesëmarrës të luftës kanë vlerësime pak a shumë të ngjashme.

Roland Bartetzko thotë se ka lexuar aktakuzën ndaj ish Presidentit Hashim Thaçi, ish Kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli si dhe Shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

“Pyetja e parë që më vjen në mendje për ta bërë është: Çfarë ka ndodhur me akuzat për trafikim të organeve?”, shprehet Bartetzko për klankosova.tv.

Në aktakuzën ndaj të gjithë anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, nuk përmenden pretendimet e Dick Marty-t. Në vend të kësaj ata akuzohen “se kanë njohuri, kanë toleruar dhe kanë marrë pjesë në keqtrajtim, torturim dhe në disa raste të vrasjes së të burgosurve në kampe burgjesh të improvizuara nga UÇK gjatë luftës””.

Për të Gjykata Speciale është formuar vetëm për të dëshmuar ose hedhur poshtë pretendimet e ish senatorit zviceran.

“Është shumë e vështirë, nëse jo tërësisht e pamundur që në të ardhmen Zyra e Prokurorit të Specializuar që të iniciojë aktakuzë për trafikim të organeve, andaj, s’është vlerësim i parakohshëm të thuhet se të gjitha ato akuza kanë qenë – me mundësi të madhe – vetëm një trillim”.

“Pa këto akuza për trafikim të organeve, sido që të jetë, nuk ka kuptim që kjo gjykatë ta vazhdojë punën”.

Roland i cili nga lufta ka marrë nofkën “Shabani” dhe shumë prej miqve të tij e thërrasin “Shabi”, disa prej pretendimeve për krime lufte nga pjesëtarët e UÇK-së, thekson se janë gjykuar tashmë.

“Do të jetë tejet interesant për të parë se si Dhomat e Specializuara do të përballen me faktin se Tribunali i Hagës për Krime Lufte në Ish Jugosllavi ka shpallur të pafajshëm disa prej krerëve të UÇK-së, e të cilat tash përmenden në aktakuzë”.

Ndaj për ‘Shabanin’ akuzat e Gjykatës Speciale “do të kenë kuptim” vetëm kur kihet parasysh ajo që shumë njerëz në Kosovë kanë deklaruar që para themelimit të gjykatës: “1. S’ka pasur kurrë të bëjë me trafikim organesh; 2. S’ka pasur kurrë të bëjë me ndonjë krim të dyshuar nga UÇK; 3. Qëllimi i vetëm ka qenë që të largohet një pjesë e lidershipit të Kosovës – e atyre që kanë luftuar për lirinë e qytetarëve të vetë – që të dobësohet pozicioni i Kosovës në të ardhmen në negociatat me fqiun Serbinë”.

“Vetëm në këtë drejtim Dhomat e Specializuara mund të jenë të suksesshme!”, ironizon ai.

Bartetzko shton se tash është shumë vonë që të mendohet nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të dëmshme ose jo.

“Është diçka për të cilët ata që e kanë votuar do të duhej të mendonin. Tash kjo gjykatë është legjitime dhe ligjore; e legjitimuar sepse shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro saj dhe është ligjore sepse statusi i saj është në përputhje me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën TONË”, shprehet ai.

Madje edhe nëse nuk gjendet askush fajtor, ai pohon se kjo gjykatë do të mbetet një njollë e zezë mbi Kosovën.

“Nuk mendoj se kjo gjykatë mund të jetë mundësi për dëshmimin e “pastërtisë” së luftës së UÇK-së. Nëse që të gjithë dalin të pafajshëm ajo do ta lë një “shije të hidhur”.

Ai thekson se kjo gjykatë nuk do të duhej të krijohej dhe që Kosova sipas ligjeve të saj do të duhej ta hetonte çdo dyshim, proces që sipas tij do të mund të mbikëqyrej nga ndërkombëtarët.

“Natyrisht që shumë vende nuk janë seriozisht të interesuara që t’i hetojnë “heronjtë” e tyre. Për këtë Serbia është shembulli më i mirë”.

“Serbia po ashtu është shembulli më i mirë kur bëhet fjalë për të bartur pasojat e lënies së lirë të vrasësve masivë, përdhunuesve, plaçkitësve dhe hajdutëve. Edhe sot, pas shumë vjetësh nga humbja në fushëbetejë, serbët e vuajnë nga toleranca e tyre ndaj krimeve të luftës dhe kriminelëve”.

Sipas tij ata që do të duhet të kalbeshin në burgje, tash janë në krye të shtetit të Serbisë.

Bartetzko i cili ka qenë ushtarë në Ushtrinë e Gjermanisë ka treguar se si ka ardhur puna që të vjen të luftojë për lirinë e shqiptarëve të Kosovës.

Paraprakisht ai ka qenë pjesë e luftës në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Për dallim prej atje, për punën e Kosovës ka një tjetër tregim, megjithatë jo krejt të kundërt.

“Motivet e ardhjes sime në Kosovë s’janë aq të ndryshme. Kurrë nuk kisha përjetuar një luftë guerile më parë dhe kjo më intrigonte. Pasi që kishte vite që isha në Ballkan, pashë më qartë se çfarë do të ngjante. Jam dëshmitar se çfarë armiku ynë ishte i gatshëm të bënte mbi njerëzit e pafajshëm. Kështu që nuk e kisha aspak problem që të luftoja kundër tyre në Kosovë”.

Ndërkaq në zonën ku ka luftuar ai, kur është pyetur nëse ka parë diçka të ngjashme prej asaj që përmendet në aktakuza, ai është përgjigjur prerazi: “Jo, nuk kam parë”.

Të njëjtën për Klankosova.tv e ka thënë edhe ish luftëtari tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – britaniku, Jon Harrison.

“Zoti im, jo! Nëse do të shihja do të bëja diçka. Unë kisha mësuar Konventën e Gjenevës gjatë karrierës sime të hershme ushtarake dhe kam vepruar në bazë të rregullave të saj, tërë jetës sime. “Brigada 138” drejtohej nga një njeri i ndershëm – të cilit i kam shërbyer me besim të lartë – që kurrë nuk do të kryente krime lufte kundër armikut. Luftëtarët që kam stërvitur gjithmonë kam provuar që t’u jap instruksione nga Konventa e Gjenevës, lidhur me trajtimin e të burgosurve dhe të tjera gjëra…”, shprehet Harrison.

Për të Gjykata Speciale është një mundësi për ta nxjerrë të vërtetën e luftës.

“…për t’i vërtetuar ose hedhur poshtë thashethemet që sillen vërdallë njerëzve të caktuar të UÇK-së ndër vjet, por edhe për informacionet e pavërteta të mediave në Serbi që kanë nxjerr për të hedhur dyshim mbi qytetarët e Kosovës, apo për t’i fajësuar ata që kanë vepruar ndershëm”.

Ai deklaron se kjo gjykatë do të duhej të themelohej shumë më parë – por për të gjykuar krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Gjykata duhej të themelohej prej vitesh. Krimet që ata kanë kryer ishin krime kundër njerëzimit. Vrasja e Familjes Jashari dhe shumë të tjerëve asnjëherë nuk është ndjekur. Këto janë krime. Përzërja e miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre në vendet fqinje. Vrasja e shumë njerëzve të pafajshëm dhe jo vetëm gjatë luftës por edhe vite para saj. Komuniteti shqiptar po trajtohej sikur kafshët nga serbët, po dhunoheshin qoftë edhe gjatë shkollës. Nuk lejoheshin ta praktikonin fenë, të flisnin gjuhën e tyre dhe t’i shkollonin fëmijët. Këto krime dhe shumë të tjera duhet që të hetohen dhe të ndiqen penalisht. S’mund të harrohen ato derisa ata që bënë vrasje dhe abuzime mbi një komb të paguajnë për krimet e tyre”.

Sa i përket akuzave për krime lufte ndaj UÇK-së, Harrison pohon se nëse dikush ka bërë diçka të tillë duhet të “paguajë” për të.

“Personalisht si ish ushtar i UÇK-së mendoj se po të kishin kryer krime në luftë ose pas saj do të duhej të ndiqeshin penalisht sipas ligjeve. Por që të dhënat do të duhej të bëhen publike të plota që njerëzit të mund të dinë për krimet e kryera. Po ashtu të akuzuarit duhet të t’i përdorin financat e tyre për mbrojtje dhe jo të përdorin paranë publike”.

Edhe Harrison sikurse Bartetzko, para se të bashkohej në luftën në Kosovë, armë ka shkrepur edhe në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë si vullnetar.

Porse çfarë e shtyri atë të vinte edhe këtu?

“Kur e pashë luftën në Kosovë që kishte nisur nga kombi i njëjtë vrasës serb, nuk do të mund të ulesha dhe të shikoja të ndodhte gjenocidi përsëri sikur që kishte ndodhur në Srebrenicë. S’mund ta shikoja Serbinë teksa lëndonte dikë”.

Harrison ka treguar se në Popaj kishte shkuar përmes Talat Pllanës dhe Bajram Gecajt, paskëtaj ka vepruar nën urdhrat e Anton Qunit, tash Ministër i Mbrojtjes dhe Rrustem Berishës, pararendës në këtë ministri.

Siç ka bërë më 1998-1999, kur ka luftuar nën emblemën e UÇK-së, ish luftëtari Mike Spath përsëri ka vepruar në mbrojtje të ushtrisë së cilës i ka shërbyer, lufta e së cilës po gjykohet në Hagë të Holandës.

Spath madje pas ngritjes së aktakuzave ka përpiluar në raport të cilin e ka dërguar në Bundestagun gjerman.

Amerikano-gjermani vlerëson se aktakuza 68 faqeshe ndaj prijësve të luftës është ngritur pas asaj që Dick Marty kishte nxjerr, e që ai e cilëson si proserb dhe prorus.

Sipas tij akuzat e tij për trafikim organesh janë absurde mbi të cilat është iniciuar miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi që ato nuk mund të bëheshin assesi në kushte lufte.

“Gabimi më i madh ka qenë ngritja e kësaj gjykate dhe lejimi i kompromisit në fushën politike i cili ka shkuar në favor të Serbisë. Unë nuk shoh diçka që favorshme për Kosovën dhe UÇK-në nga kjo gjykatë, e cila paraqet tregimin e njëanshëm” theksohet në raportin e Smith.

“Gjykata përdor përplot propagandë dhe videomateriale të dërguara nga Serbia dhe dokumentari i tyre që tregon vetëm anën e tyre”.

“Për 20 vjet NE nuk kemi bërë diçka për ta treguar luftën përmes syve të qytetarëve në Kosovë. Kjo do duhej bëhej në baza ndërkombëtare dhe jam i sigurt se do të kishte rezultat pavarësisht situatave”.

“Ka mjaftë dokumentime apo së paku duhet të ketë për të treguar rrëfimin tjetër prej Dick Marty i cili po ia shet Gjykatës Speciale”.

Spath i cili ka qenë pjesëtar i Ushtrisë së SHBA-së, në UÇK pa pasur rolin e snajperisit, ndërkaq ka treguar se së pari herë ka takuar Agim Ramadanin, Hisen Berishën, Rrustem Berishën dhe Anton Qunin.

Ai në luftimet e Koshares ka qenë i plagosur, ndërkaq përmend Hisen Berishën që e ka tërhequr nën breshëri plumbash.

Në fund Spath thotë se me rëndësi tash është që të ruhet reputacioni në baza ndërkombëtare dhe të dëshmohet para botës së UÇK ka luftuar pastër dhe në përputhje me Konventën e Gjenevës.

“Puna jonë ka qenë dhe është që t’i mbrojmë qytetarët e Kosovës nga e keqja”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu