Profesor, doktor Enver Bytyçi ka folur për gazetën “Bota sot” lidhur me zhvillimet dramatike që kanë ndodhur së fundi në Kosovë.

Ai i quan goditje të përkohshme për Kosovën arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale.

“Arrestimet e fundit nga ana e Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë janë një goditje e përkohshme e imazhit të Kosovës, por krijojnë gjithashtu shansin që e ardhmja e saj të bëhet më e mirë, më e sigurt dhe më e paqtë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe, stabilitet dhe qëndrueshmëri e prosperitet pa trasuar veten nga akuzat e ndoshta bëmat kriminale të disa politikanëve. Sepse nëse provohet se Thaçi e të tjerët të arrestuar kanë bërë krime, është e sigurt se do të provohet edhe fakti që motivi I atyre krimeve është konkurrenca politike, pra hakmarrja politike”, thotë Bytyçi.

Image

Enver Bytyçi

Ai thotë se Kosova mund të futet në një krizë politike.

“Kosova mund të futet nga këto zhvillime në krizë politike, nëse subjektet politike të saj nuk do të merren vesh për zgjedhjen e presidentit, pra për emrin e këtij presidenti. Në të kundërt, nuk mendoj se do të ketë krizë”, shprehet Bytyçi.

Më tej, ai thotë se ka dy mënyra për ta përballuar këtë situatë, të cilën e krijuan arrestimet e fundit.

“Së pari, të bashkohen forcat politike dhe të projektojnë një të ardhme të re për Kosovën. Pra, të lihet menjëherë mbrapa trashëgimia politike e kohës së Hashim Thaçit dhe të ndërtohet një rend i ri politik në dobi të qytetarëve dhe interesave të Kosovës, I papajtueshëm me korrupsionin, krimin e organizuar dhe arrogancën e konfliktin politik. Kjo kërkon ristrukturimin e reformimin e subjekteve politike. Kërkon rrëzimin e skemave të vjetra. Kërkon revokimin e marrëveshjeve dhe kompromiseve politike në tavolinë. Kërkon konsensusin e të gjitha partive dhe liderëve politikë. Por unë e shoh të vështirë të arrihet kompromisi dhe konsensusi, sepse garda e vjetër e pengon këtë konsensus. Nuk besoj p.sh se Isa Mustafa pajtohet për një kurs të ri në politikën kosovare, kurs i cili ndryshon ekuilibrin e krijuar midis tij dhe Hashim Thaçit. Prandaj dhe partitë politike, të cilat kanë drejtuar Kosovën në këto 13 vite do të duhet të reflektojnë deri te ndryshimet në lidershipin e tyre. PDK ka komanduar zotin Enver Hoxhaj në krye të saj. Është një hap përpara, por nuk është kjo zgjidhja përfundimtare. Në fakt reformimi duhet nisur nga PDK, dy liderët tradicionalë të së cilës gjenden në Hagë. Nëse reformohet në program, koncept, vizion dhe lidership PDK, kjo do të ishte më e mira për Kosovën dhe për vetë PDK-në. Unë besoj se elementët reformatorë dhe të moderuar do të marrin në dorë fatet e kësaj partie. Këta elementë nuk mungojnë. Kadri Veseli u përpoq t’i promovojë me vështirësi për shkak të presionit të Hashim Thaçit për të mbajtur në pushtet pronto-politikën. Por nuk arriti ta bëjë këtë. Tani mbetet që profesorët dhe njerëzit e dijes të marrin në dorë fatin e PDK-së”.

“Sa kohë që PDK nuk është reformuar, asaj nuk duhet t’i jepet shansi pa u provuar në elektorat të ketë të drejtën që të përfaqësohet në institucionet kryesore të shtetit. Pra nuk duhet ta ketë të drejtën të ketë presidentin e vendit, kjo edhe për faktin se përfaqësuesi i tyre si kryetar shteti, Hashim Thaçi, e shpërdoroi këtë detyrë të lartë shtetërore, duke u angazhuar pa konsensus e pa transparencë për realizimin e projektit serb të ndarjes së Kosovës. Nëse pafuqia ose kompromisi I Isa Mustafës I mundësuan Thaçit edhe pas kësaj të vazhdonte detyrën e presidentit, tani nuk duhet dhënë më një shans për PDK-në, së paku derisa ajo të reformohet dhe të përfaqësohet me votat e saj në parlamentin e Kosovës”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Si zgjidhje të dytë, Bytyçi e sheh një president konsensual.

“Së dyti, nëse nuk bashkohen forcat politike, atëherë zor se do të ketë një president konsensual. Për të marrë postin e kreut të shtetit është ofruar ish-kryeministri, Ramush Haradinaj. Gjykuar nga kontributet e tij për të parandaluar ndarjen e Kosovës, nuk mendoj se është kandidaturë e papërshtatshme. Por nuk jam I sigurt se atë e mbështesin subjektet e tjera politike, sidomos Lidhja Demokratike. Isa Mustafa ka një lloj interesi të shkaktojë krizë në rastin e zgjedhjes së presidentit, sepse mesa kuptoj unë, ai nuk e dëshiron më Avdullah Hotin në krye të ekzekutivit të Kosovës. Në këtë pikë është në të njëjtën linjë me atë të Thaçit”, thekson Bytyçi.

Ai shton se shumëçka varet nga pozicioni i LDK-së.

“Prandaj unë besoj se shumëçka varet nga pozicioni që do të marrë Lidhja Demokratike, e cila ende vazhdon të besojë në marrëveshjet e vjetra me PDK-në e Thaçit. Nëse nuk shkëputet nga ajo trashëgimi, Kosova do të ketë probleme dhe nuk do të arrijë ta zgjedhë presidentin. Për pasojë vendi do të shkojë në krizë të pashmangshme”.

Profesor Bytyçi më tej thotë se zgjedhjet e reja të parakohshme do të jenë zgjidhja më e mirë.

“Sepse vota e qytetarëve do t’i japë në këto rrethana secilit atë që I takon dhe mbi bazën e këtij verdikti do të bëheshin zgjidhjet e tjera. Në kushtet e tanishme PDK do të ishte e interesuar për zgjedhje të shpejta, me qëllim që të përfitojë nga opinioni anti-gjykatë speciale I krijuar në Kosovë këto ditë. Por ky opinion do të zbehet shpejt dhe për pasojë PDK nuk ka interes të që vendi të shkojë në zgjedhje. Partitë e tjera gjenden në të njëjtën kuotë besimi si edhe më parë, gjithnjë nëse LDK-së nuk do t’I rrjedhin vota nga ikja e Vjosa Osmanit. Nëse LDK dëshiron vërtet të pozicionohet me sukses në këtë situatë të re të krijuar në Kosovë, ajo do të duhet të rikthejë Vjosën në radhët e saj dhe t’i japë lidershipin e Lidhjes Demokratike. Në këtë rast Vjosa nuk mund të ishte presidente e vendit. Por nëse vendi shkon në zgjedhje me këtë strukturë politike, atëherë unë mendoj se Vetëvendosja do të marrë ekzekutivin dhe Vjosa Osmani do të jetë presidente e vendit”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu