Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot është takuar me ambasadorën Susanne Schütz në Berlin, njofton ai përmes një statusi në facebook transmeton GazetaFlash24.
Në këtë takim, Haradinaj kërkoi që të finalizohet liberalizimi i vizave për Kosovën. “Duke pas parasysh se vendet tona kanë partneritet strategjik dhe marrëdhënie të shkëlqyera, kërkova që Gjermania të shtyej përfundimisht liberalizimin e vizave për Kosovën në takimet me shtetet anëtare të BE-së”.
Në këtë takim po ashtu u diskutua për situatën politike në Kosovë dhe bashkëpunimin në mes dy vendeve.
“Gjithashtu folëm për sundimin e ligjit dhe situatën e sigurisë”, ka shkruar Ramush Haradinaj.
Përgjatë kohës sa Haradinaj ishte kryeministër, Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë ka pasur takime me MPB-në e Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave. Kjo gjë ishte vlerësuar pozitivisht nga ish-ambasadori Christian Heldt.
Po ashtu Haradinaj kishte marrë pjesë edhe në Samitin e Berlinit për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës e Serbisë.
Postimi i plotë:
Gjatë vizitës sime në Berlin të Gjermanisë, u takova sot me Ambasadoren Susanne Schütz, Drejtoreshë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për Evropën Juglindore, Turqi dhe shtetet e EFTA-së, si dhe me Christiane Hullmann, udhëheqëse e Divizionit për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë takim diskutuam për situatën politike në Kosovë dhe bashkëpunimin në mes dy vendeve tona. Gjithashtu folëm për sundimin e ligjit dhe situatën e sigurisë.
Duke pas parasysh se vendet tona kanë partneritet strategjik dhe marrëdhënie të shkëlqyera, kërkova që Gjermania të shtyej përfundimisht liberalizimin e vizave për Kosovën në takimet me shtetet anëtare të BE-së.
RH
