Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka folur sërish për situatën politike në Kosovë.
Në shkrimin e tij të ri, Ben-Meir ka thënë se humbësja më e madhe në zgjedhjet e 6 tetorit, është Partia Demokratike e Kosovës.
Ai ka deklaruar se drejtuesit e kësaj partie, ishin të zënë me “pasurimin e tyre” dhe injoruan nevojat e qytetarëve, përcjell Bota sot.
“Humbësja më e madh në zgjedhjet e Kosovës është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2007, e udhëhequr aktualisht nga KadriVeseli. Drejtuesit e partisë ishin të zënë me pasurimin e tyre, ndërsa injoronin nevojat e bashkëqytetarëve të tyre”, ka thënë profesori amerikan.
Sipas Ben-Meir, rezultatet e zgjedhjeve në Kososvë, treguan se qytetarët janë ngopur dhe duan ndryshimin.
Ai ka dhënë një këshillë për kryeministrin e ri, duke thënë se ai duhet të dëgjojë me kujdes dhe të veprojë me vendosmëri dhe qëllim, përcjell Bota sot.
“Populli ëndërroi të ishte i lirë, i sigurt dhe i prosperuar pas një lufte të tmerrshme në 1999 midis Kosovës dhe Serbisë që provoi aq shumë dhimbje, vuajtje, humbje të jetës dhe shkatërrim të gjerë. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, treguan qartë se njerëzit janë të ngopur dhe duan ndryshim – dhe ata e dëshirojnë atë tani. Drejtuesi i ri duhet të dëgjojë me kujdes dhe të veprojë me vendosmëri dhe qëllim”, ka shkruar ndër tjerash Alon Ben-Meir, në një artikull të përbashkët me gazetaren nga Kosova Arbana Xharra.