Shumë qytetarë të Kosovës nuk kanë mundur të pajisen me letërnjoftime për shkak të mungesës së materialit për të prodhuar këtë dokument. Megjithatë ka edhe të tjerë që kanë aplikuar me procedurë të shpejtë dhe është dashur të paguajnë deri në 100 euro, shkruan Gazeta Sinjali.

Vonesa të tilla po u shkaktojnë shumë probleme qytetarëve, prandaj Gazeta Sinjali ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme se deri kur do vazhdojë një situatë e tillë.

Sipas MPB-së, “shumë shpejtë do t’i kthehen normalitetit”, derisa letërnjoftimet në këtë periudhë, sipas tyre lëshohen vetëm për rastet urgjente sipas udhëzimit administrativ për pajisje me këto dokumente.

“Situata me pandeminë COVID 19 ka shkaktuar vonesa në furnizimin me material për letërnjoftime. Aktualisht letërnjoftimet lëshohen vetëm për rastet urgjente (rastet mjekësore dhe rastet tjera te konsideruara urgjente sipas udhëzimit administrativ (MPB) NR.13/2016). Është duke u punuar pa ndërprerë në këtë çështje dhe besojmë shumë shpejt do t’i kthehemi normalitetit”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Sinjalin.

Procedura e përshpejtuar e pajisjes me letërnjoftim dhe pasaportë, sipas këtij udhëzimi, bëhet në rastet si në vijim:

1.1. Trajtimi urgjent mjekësor jashtë Republikës së Kosovës i rekomanduar nga institucioni shëndetësor kompetent (publik apo privat) apo nga komisioni mjekësor i autorizuar nga këto institucione. Pajisja me letërnjoftim apo pasaportë në këtë rast përfshinë edhe përcjellësin e tij;

1.2. Udhëtimi zyrtar pas kërkesës së aprovuar nga zyrtari më i lartë i institucionit përkatës ku ai punon;

1.3. Udhëtimet jashtë vendit për zhvillimin e aktiviteteve arsimore, kulturore, sportive ose të ngjashme, kur këto aktivitete nga institucionet më të larta përkatëse vlerësohen me interes të veçantë për shtetin;

1.4. Udhëtimi për qëllime humanitare që e konfirmojnë organet përgjegjëse humantiare.

Kompania e cila ka fituar tenderin për furnizim me letërnjoftime dhe pasaporta për vitin 2020-2021, është ajo e njëjta që ka bërë furnizimin deri më tash, kompania gjermane “Veridos”.

Sipas kontratës, kompania fituese do të furnizojë ministrinë me 250 mijë letërnjoftime elektronike dhe me 50 mijë pasaporta.

Derisa në muajin e kaluar, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu pati deklaruar se “në qershor të vitit 2019 kanë kërkuar buxhet nga Ministria e Financave, për dokumente, por që nuk është bërë ndarja e buxhetit”. Një kërkesë e tillë, sipas tij, është bërë edhe në muajin shkurt, por një gjë e tillë nuk është aprovuar.

Ministria e Punëve të Brendshme për këtë rast ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës, se nga rrethanat e krijuara si pasojë e pandemisë COVID-19, Agjencia e Regjistrimit Civil, nuk ka arritur me kohë të duhur të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme për furnizim me material të mjaftueshëm për letërnjoftime.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu