Halim Krasniqi i dënuar për trafik armësh në Maqedoni, spiunoi edhe shokët, pas burgut ndryshoi emrin, sot është Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Shqipëri dhe përdor targat diplomatike për punë të dyshimta. Ka dosje në tre shtete. Ja ku ka përfunduar diplomacia e dy shteteve shqiptare. Institucionet vijojnë të heshtin, duke pritur dosje më të rënda

Një trafikant armësh i dënuar me burg, me disa emra, pa arsim dhe me dosje të zeza në tre shtete në Ballkan, drejton që nga viti 2016 Konsullatën e Kosovës në Shqipëri. Bëhet fjalë për Halim Krasniqin, me shtetësi shqiptare që prej 17 vitesh, simbol i degradimit të diplomacisë së dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë. Ashtu siç edhe paralajmëruam, sot do publikojmë të dhëna të reja rreth të shkuarës së Krasniqit, një personazh që nuk ka asnjë lidhje me diplomacinë, por që është katapultuar në këtë post si produkt i pazareve të Hashim Thaçit dhe mbylljes së syve të Ditmir Bushatit, i cili ka pranuar kredencialet e një trafikanti si diplomat. Në një dokument identifikimi të lëshuar në Shqipëri në vitin 2011, Konsulli rezulton me emrin Arian Krasniqi. Në këtë pasaportë të lëshuar në 25 gusht 2015, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Tiranë rezulton me emrin Halim Krasniqi.

Arsyeja se pse Konsulli i Përgjithshëm e ka ndryshuar emrin nga Arian në Halim, ka të bëjë me të shkuarën e tij kriminale. Sipas të dhënave të siguruara nga Pamfleti, Krasniqi është dënuar në Maqedoni për trafik armësh në vitin 1995. Nga dosja rezulton se Krasniqi ka bërë mbi tre vite burg, ndërsa janë të paqarta rrethanat se si ka dalë nga qelia. Ka dyshime të forta se Krasniqi ka spiunuar shokët për të lehtësuar pozitat e tij në raport me drejtësinë. Kjo është edha arsyeja se pse ish-trafikanti që u bë Konsull i Përgjithshëm në Tiranë, nuk ekspozohet shumë në publik, fshihet skutave nëpër ceremoni dhe vepron në hije. Megjithatë, shokët e tij të burgut janë habitur kur kanë dëgjuar këto ditë të lakohej emri i tij në media si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Tiranë.

Disa muaj më parë, Arian / Halim Krasniqi është përfshirë në përleshje, dhunë fizike dhe psikologjike ndaj punonjësve të Konsullatës. Kjo dosje ende nuk është gjykuar. Në krye të Konsullatës, Krasniqi ka vepruar edhe si sekser i Ilir Metës në skandalin e pasaportave. Konsulli me dy emra, duke mos qenë diplomat karriere dhe duke mos patur asnjë lidhje me diplomacinë, qëndron në detyrë për një mandat të dytë në kundërshtim me ligjin. Ai gjithashtu ka rënë në sy të organeve ligjzbatuese shqiptare për lëvizje të dyshimta me makinën me targa diplomatike, të cilat kanë imunitet ndaj kontrolleve policore. Megjithatë, ministritë e jashtme të dy shteteve shqiptare vijojnë të heshtin, duke pranuar poshtërimin e qytetarëve, përmes drejtimit të konsullatës nga një trafikant. Në vijim të dhëna edhe më të rënda që do të plasin bunkerin e heshtjes turpëruese të dy ministrive të jashme. Kaq për sot./Pamfleti

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu