Ndonëse në parim, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar t’i nisin negociatat për formimin e koalicionit qeverisës, arritja e marrëveshjes duket të jetë ende mjaft larg. Kështu të paktën parashikojnë disa zyrtarë nga partitë në negociata, sidomos ata nga LDK-ja.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, konsideron se arritja e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje do të jetë e vështirë. Sipas tij, problemet e më të mëdha do të jenë në harmonizimin e programit të përbashkët për të pasur sukses në bashkëqeverisje.Sidoqoftë, ai parashikon se negociatat e vërteta për arritjen e marrëveshjes mund të priten vetëm pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

“Besoj se nuk do të jetë e lehtë të arrihet marrëveshje me Vetëvendosjen, duke i pasur parasysh disa deklarime të vazhdueshme publike të atyre edhe gjatë fushatës, po edhe pas rezultatit preliminar, ata po e ndjejnë vetën si fitues të mëdhenj”, tha Veliu.

Ndryshe nga Veliu, zyrtarë të Vetëvendosjes, përfshirë edhe liderin e saj dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, kanë parashikuar se me LDK-në do të ketë një marrëveshje dhe se të dy partitë do të qeverisin në Kosovë gjatë mandatit të ardhshëm 4-vjeçar.Në anën tjetër, analistët politikë nuk presin që këto bisedime të jenë edhe aq të vështira, siç i parashikojnë disa zyrtarë të LDK-së.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se arritja e një marrëveshjeje në mes këtyre dy partive është e natyrshme dhe se, sipas tij, të dy partitë duhet të respektojnë premtimet e tyre dhe vullnetin e votuesve.“Unë nuk shoh që mund të ketë ndonjë pikë diskutabile që do të çonte deri te pamundësimi i një koalicioni midis këtyre dy partive.

Kujtojmë se bashkëpunimi i këtyre dy partive nuk filloi dje e as nuk fillon sot. Një bashkëpunim i tyre ka filluar që nga formimi i qeverisë së kaluar dhe e kemi parë gjatë gjithë kohës si këto dy parti kanë funksionuar në opozitë”, tha Kryeziu.

Loading...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu