Gjëja e fundit që 33-vjeçarja Khatera ka parë ishin tre burra në një motoçikletë të cilët e sulmuan pasi doli nga puna prej stacionit të policisë në provincën qendrore Ghazni, në Afganistan, duke e qëlluar dhe duke e therur me thikë në sy.

Kur u zgjua në spital, krejt terr, shkruan agjencia Reuters. 

“I pyeta mjekët se pse nuk shihja asgjë? Ata më thanë se i kisha ende sytë e lidhur për shkak të plagëve. Por në atë çast, e dija se m’i kishin marrë sytë”, ka thënë ajo.

Pingpong me fajin

Ajo dhe autoritetet lokale fajin për sulmin ua hedhin militantëve talebanë – të cilët e mohojnë se janë të përfshirë – dhe thonë se sulmuesit kishin vepruar pasi ishin njoftuar nga babai i saj, i cili kishte kundërshtuar me forcë që ajo të punonte jashtë shtëpisë.

Khateras, sulmi i shkaktoi jo vetëm humbje të shikimit, por edhe humbjen e një ëndrre për të cilën kishte luftuar që ta arrinte – një karrierë të pavarur. Ajo u bë pjesë e policisë Ghazni si police e degës së krimeve para disa muajsh.

“Do të doja të kisha filluar punën në polici të paktën që një vit. Nëse kjo gjë do të më ndodhte pas asaj kohe, do të më dhembte më pak. Ndodhi shumë herët… veç sa kisha filluar punën dhe po jetoja ëndrrën time për 3 muaj”, ka thënë ajo për Reuters.

Sulmi ndaj Khateras, që nuk do ta tregojë emrin e plotë, është tregues i një trendi në rritje, thonë aktivistët e të drejtave të njeriut, i një përplasjeje të fortë dhe nganjëherë edhe të dhunshme kundër grave që punojnë, sidomos në sektorin publik. Në rastin e Khateras, të qenit zyrtare policore mund t’i ketë zemëruar talebanët.

Aktivistët e të drejtave besojnë se një përzierje e normave sociale konservative të Afganistanit dhe ndikimi në rritje i trimërisë së talebanëve, përderisa Shtetet e Bashkuara i tërheqin trupat nga vendi, është duke e shkaktuar përshkallëzimin. Kjo ka qenë edhe arsyeja se pse disa prej grave më të zëshme deputete në parlamentin e vendit kanë kundërshtuar zhvillimin e negociatave me talebanët nëse nuk merren zotime se ata do të respektojnë liritë dhe të drejtat themelore të afganeve në rast se do të bëhen pjesë e pushtetit në të ardhmen.

Kulmi i dhunës

Talebanët tani janë duke negociuar në Doha, Katar, me qeverinë afgane për të arritur në marrëveshje paqësore, në të cilën shumë njerëz presin nga ta që të rikthehen formalisht në pushtet, por përparimi është i ngadalshëm dhe ka rritje luftimesh dhe sulme ndaj grave zyrtare dhe në pushtet nëpër tërë vendin.

Gjatë muajve të fundit, talebanët kanë thënë se do t’i respektojnë të drejtat e grave me ligjin e Sheriatit, por shumë gra të arsimuara thonë se kanë dyshime. Grupi kryengritës ka kundërshtuar një reformë për ta shtuar mbiemrin e nënës në dokumentet identifikuese, një nga qëndrimet e para konkrete që e kanë shfaqur për të drejtat e grave përderisa po i qasen procesit të paqes.

“Edhe pse situata për gratë afgane në vende publike ka qenë gjithmonë e rrezikshme, kulmi i fundit i dhunës nëpër tërë vendin veçse i ka përkeqësuar problemet”, ka thënë Samira Hamidi, aktiviste e “Amnesty International” në Afganistan. “Hapat e mëdhenj të bërë për të drejtat e grave në Afganistan, gjatë më shumë se një dekade, nuk duhet të bëhen pjesë e zakonshme e cilësdo marrëveshje paqeje me talebanin”.

Ëndrra e shuar e fëmijërisë

Ëndrra e Khateras kur ka qenë fëmijë ishte që të punonte jashtë shtëpisë dhe pas disa vjetësh duke u munduar ta bindte babanë e saj, që nuk pati dobi, ajo pati mundësi të gjente mbështetje te bashkëshorti i saj.

Por babai i saj, thotë ajo, nuk u zmbraps nga kundërshtimi i tij.

“Shumë herë, kur po shkoja në punë, e kam vërejtur që më ndiqte babai im… ai filloi të kontaktojë me talebanët afër zonës dhe kërkoi nga ta që të ma ndalonin që të shkoja në punë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se ai ua siguroi talebanëve një kopje të letërnjoftimit të saj për t’ua dëshmuar se ajo punon për policinë dhe se ai e kishte thirrur atë gjatë ditës që ajo ishte sulmuar, duke pyetur se ku ndodhet.

Zëdhënësi i policisë së Ghaznit e ka pranuar se ata kanë besuar se talebanët ishin prapa sulmit dhe se babai i Khateras është marrë në polici. Reuters nuk ka mundur të kontaktojë me të drejtpërdrejt për të marrë deklaratën e tij.

Një zëdhënës i talebanëve ka thënë se grupi nuk ishte në dijeni për rastin, porse është problem familjar dhe ata nuk ishin të përfshirë.

Khatera dhe familja e saj, përfshirë pesë fëmijët, tani janë fshehur në Kabul, ku ajo është duke u shëruar dhe duke e vajtuar karrierën e humbur.

Ajo ka vështirësi për të fjetur, kërcen kur dëgjon ndonjë motoçikletë dhe i është dashur t’i ndërpresë kontaktet me familjen e saj, përfshirë edhe me nënën, e cila e fajëson për arrestimin e babait të saj.

Ajo shpreson shumë se ndonjë mjek përtej oqeanit do të mundet disi t’ia kthejë të paktën gjysmën e shikimit.

“Nëse do të jetë e mundur, më kthehet shikimi, do ta rifilloj punën dhe shërbimin në polici përsëri”, ka thënë ajo, duke shtuar edhe se ka nevojë për të ardhura që të mos bjerë në mjerim. “Por arsyeja kryesore është dëshira ime për të punuar jashtë shtëpisë”./koha

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu