Endrit Shala dhe djali i Fatmir Limajt të rrethuar me pije të shtrenjta në Gjermani, ky është sqarimi i ish-ministrit

Një fotografi e publikuar në Facebook të shtunën shfaq ministrin në largim të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalën dhe Durim Limajn, djalin e liderit të Nismës Socialdemokrate, teksa qëndrojnë përpara një vaskë me pije të shtrenjta në një diskotekë në Gjermani.

Shala dhe Limaj, nën shoqërinë e dy personave të tjerë – siç tregon fotografia, qëndrojnë të ulur përpara një vaske të improvizuar me dhjetëra pije në të. Mbi të gjitha pijet e shtrenjta është e vendosur edhe një “Ciroc Vodka” – pije alkoolike franceze, raporton Insajderi.

Ndonëse kjo fotografi ka qarkulluar në rrjetet sociale së fundmi, ajo dyshohet të jetë shkrepur disa kohë më parë në një diskotekë në afërsi të Këlnit në Gjermani.

Ministri në largim, Endrit Shala, ka thënë se fotografia e tij ku shfaqet në shoqërinë e Durim Limajt, është realizuar disa vite më parë në kohën kur ai nuk ka shërbyer si ministër i Qeverisë Haradinaj.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, Limaj ka deklaruar se fotografia është realizuar “diku 4-5 vite më parë”. Ka thënë se diskoteka të cilën e kishte vizituar ai me djalin e liderit të Nismës Socialdemokrate, është nën pronësinë e një emigranti shqiptar nga Kosova.

“Ajo është një fotografi tek ky Vllaznim Kelmendi dhe tek Zenuni, është diskoteka e Zenunit në Gjermani. Është afër Strasburgut, në Këln, nëse nuk gaboj”, ka deklaruar Shala për Insajderin. “Fotografia është bërë para 4-5 viteve dhe unë në atë kohë s’kam qenë ministër”.

Ndërkaq, Durim Limaj, i cili është këshilltar i lartë politik i ministrit në largim të Tregtisë, ka shpenzuar rreth 30 mijë euro për udhëtimet e bëra jashtë vendit me paratë e taksapaguesve kosovarë.

Limaj është kampion për nga shpenzimet e bëra në udhëtime jashtë vendit, krahasuar me anëtarët e tjerë të stafit politik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Me harxhime ia ka kaluar edhe secilit prej dy ministrave që gjatë gjysmëmandatit e kanë drejtuar këtë dikaster qeveritar.

Bazuar në një pasqyrë shpenzimesh të Ministrisë së Tregtisë, të cilën e ka publikuar Koha Ditore para disa ditësh, për më pak se dy vjet, vizitat e Limajt jashtë vendit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 30 mijë euro – 15.001.32 euro në vitin 2018, ndërsa sivjet edhe 14.057.25 euro të tjera.

Pjesë e madhe e kësaj shume është shpenzuar për t’u ushqyer gjatë këtyre vizitave – fiks 8.798.83 euro.

Loading...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu