Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ditë më parë ka thënë se në ditët e para të Qeverisë së ardhshme, pritet të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët.
Ai në një konferencë për media ku shpalosi raportin e punës së Qeverisë dy vjeçare të drejtuar nga ai tha se është i pakënaqur me procesin e liberalizimit.
“Në ditët e para të qeverisë së re do ta kemi liberalizimin. Një pjesë e punës do të ndodhë edhe tani në fund të nëntorit. por liberalizimi do të ndodh në dhjetor. Të gjithë bartim edhe merita edhe faj, këto i kam edhe unë se pse nuk i kemi vizat. BE është e interesuar të ecë përpara në këtë vendim”, ka thënë Haradinaj.
Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike dhe profile të ndryshme të skenës politike, vlerësojnë se kushtet e përmbushjes së liberalizmit të vizave, janë plotësuar kaherë. Sipas tyre, Kosova meriton heqjen e vizave, sepse tashmë ajo po ngjallë zhgënjime që po e forcojnë bindjen euro-skeptike mbase edhe anti-euroaltlantike që e gjejmë të përpunuar tashmë tek disa subjekte politike ku ka ekstrem të majtë dhe keqinterpretime fetare.

Fatmire Mulhaxha- KollçakuFOTO GALERI
Fatmire Mulhaxha- Kollçaku nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se VV asnjëherë nuk ka marr si dhuratë asgjë, prandaj nuk duhet të presim dhurata të tilla të pabazuara në realitet.
Sipas saj, kjo Qeveri po e përfundon mandatin pa dhënë prova se e kishte pasur seriozisht sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar institucional.
“Përkundrazi kontribuuam shumë në prolongimin e procesit të liberalizimit të vizave me veprimet dhe mosveprimet e tyre. Tani Qeveria e re do të angazhohet maksimalisht që ky proces të përshpejtohet , me rikthim të besimit të qytetarëve por edhe faktorit ndërkombëtar, se ky shtet ka mundësi të funksionon ashtu siç duhet”, ka thënë ajo.