Pas konfirmimit të rastit të parë me virusin korona, ashtu si disa vende tjera në Kosovë që nga mbrëmë është futur në karantinë edhe fshati Dumnicë i Podujevës.

Ruzhdi Fazliu, kryetari i fshatit në një lidhje direkte në emisionin Frontal në T7 ka deklaruar se për në infektivë sot është dërguar edhe babai i personit të prekur me këtë virus, nën dyshimet se edhe ai mund të jetë i infektuar.

Fazliu ka deklaruar se gjendja e personit që është prekur me koronavirus nga Komuna e Podujevës është e mirë. Ai thotë se ky person ka 11 dite që kishte ardhur në Kosovë.

“Gjendja e tij e mirë është njëherë. Para 3-4 mujve është shku në Itali, tash ka ardh në shpi në ditën e 11 ka pasur temperaturë, është shku në ambulancë në Podujevë edhe e kanë qu në intenzivë.

Me konfirmimin që është pozitiv mbrëmë kanë ardh një ekip, vetëm kanë pyetur s’kanë bë kontrolla, para 10 minuta e kanë marrë edhe prindin e tij edhe e kanë dërgu në infektivë, ka pas grip ai edhe më herët, është i moshuar, për cdo rast e kanë dërgu me I bë kontrollat”, shton ai, duke bërë të ditur se në fshat sot gjatë ditës ka pasur pak lëvizje të njerëzve.

“Lëvizje nuk ka, pak më parë isha aty ku janë vendos policia, është 5 km prej shtëpisë tonë edhe lëvizje ka shumë pak po ju përmbahen rregullave që I ka dhënë ministria e Shëndetësisë”, deklaroi tutje.

Se Fshati Dumnicë i Podujevës është futur në karantinë që nga mbrëmë, ka konfirmuar sot për Gazetën Express, kryetari në detyrë i komunës, Nexhmi Rudari.

“Që nga mbrëmë, me vendim të Qeverisë, Dumnica është futur në karantinë, pasi u konfirmua një rast me koronavirus”, ka thënë Rudari.

Ai tregon se dje është dezinfektuar lagjja ku ka banuar i prekuri me virusin covid-19 dhe se janë kontrolluar anëtarët e familjes së tij.

“Ne jemi duke e përcjellë situatën. Ekipët mjekësore kanë kontrolluar familjarët e të prekurti, kemi bërë dezinfektimin e lagjes dhe policia po kontrollon zonën e vendosur në karantinë”, ka thënë Rudari.

I infektuari është i gjinisë mashkullore, 62 vjeç, dhe, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka udhëtuar në Kosovë direkt nga Italia, më 5 mars, 2020, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Deri më tani në Kosovë 15 persona është bërë e ditur se janë të prekur me këtë virus.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu