Në kërkesën për lirim me kusht dërguar Gjykatës Speciale, avokati britanik i Hashim Thaçit e ka përmendur edhe letrën që ish-presidenti i Kosovës ia kishte dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, e cila ishte pjesë e kërkesës së kryeprokurorit Jack Smith për lëshimin e urdhërarrestit ndaj Thaçit.

David Hooper ka pyetur se pse kjo letër është përmendur në kërkesën e Jack Smith, kur sipas tij, ajo ka përmbajtur vetëm shqetësime legjitime lidhur me drejtimin që po e merrte Gjykata Speciale.

“Pse, për shembull, është ekspozuar letra e Presidentit Thaçi drejtuar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së si pjesë e Kërkesës për Urdhërarrest kur nuk përmban më shumë sesa shqetësime legjitime lidhur me drejtimin që po e merrte DHSK? Letra bie brenda detyrave të tij kushtetuese si President për të shprehur shqetësime në emër të Shtetit. Por mbështetja e tij për DHSK-në ishte e qartë”, ka shkruar Hooper në kërkesën drejtuar gjykatësit Nicolas Guillou.

Sipas tij, pretendimet e Zyrës së Prokuorit të Specializuar se Thaçi po tentonte të krijonte mbështetje për zhbërjen e Gjykatës Speciale janë keqinterpretime.

“Më domethënëse është keqinterpretimi i ZPS-së që Z. Thaçi “është përpjekur të bëjë gjenerimin e një mbështetjeje për heqjen e DHSK-së”. Në fakt, çfarë është materiali burimor zbulon se është një angazhim ndaj procesit demokratik dhe sundimit të ligjit”, thuhet në kërkesë.

Tutje, Hooper ka përmendur rolin e Thaçit në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, që njihen si Gjykata Speciale.

“Duhet të pranohet që përpjekjet dhe kontributet e z. Thaçi në krijimin e DHSK-së dhe ZPS-së ishin të dëmshme për karrierën e tij politike dhe, në kundërshtim me parashtrimet e ZPS-së, ai e tjetërsoi bazën e tij politike duke përfshirë shoqatat e veteranëve të UÇK-së dhe kategori të tjera rrënjët e të cilave kishin qenë në UÇK”, thuhet në kërkesë.

“Përkundër presionit politik dhe shoqëror të cilit iu nënshtrua, z. Thaçi personalisht e mbrojti nismën për krijimin e DHSK-së dhe ZPS-së në Kuvendin e Kosovës. […] Për shembull, në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 26 qershor 2015, d.m.th., një një ditë pas protestave në rrugë të Shoqatave të UÇK-së kundër krijimit të DHSK-së dhe ZPS-së, të referuara nga ZPS, z. Thaçi deklaroi se krijimi i DHSK-së dhe ZPS-së si “institucion [i pavarur ndërkombëtar]” ishte i domosdoshëm për ta pastruar luftën çlirimtare të UÇK-së dhe për t’i treguar botës që “nuk kemi asgjë për të fshehur””, thuhet në kërkesë.

Në letrën që e përmend Hooper, e që Thaçi ia kishte dërguar Sekretarit të Shtetit në SHBA, Mike Pompeo, më 29 nëntor 2019, ai shpreh shqetësimin e thellë “të institucioneve të Kosovës, në lidhje me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special të Kosovës si pjesë e Institucionit Gjykues Special të vendosur në Holandë”.

“Institucionet e Kosovës i janë tepër mirënjohës Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti Zyrës për Drejtësi Globale Kriminale të departamentit të Shtetit, për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare për etablimin e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sido që të jetë, ju shkruaj që zyrtarisht t’ua sjell në vëmendje shqetësimin tonë që edhe pasi kanë kaluar 5 vjet, që është edhe periudha tranzitore e paracaktuar në fillim, ka pasur pak progres në zbatimin e mandatit të paraparë të Dhomave të Specializuara. Po ashtu, më duhet të shpreh rezerva serioze, në emër të institucioneve të Kosovës, që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit, nuk kanë dhënë rezultate siç është paraparë me mandatin e vet të përcaktuar në letrat e BE-së me Marrëveshjen me shtetin nikoqir, Holandën”, i kishte shkruar Thaçi Pompeos.

Ai kishte shprehur shqetësim edhe për mënyrën e funksionimit të Speciales.

“Me keqardhje më duhet ta shpreh shqetësimin tim që mënyra në të cilën këto institucione gjegjëse vazhdojnë të operojnë është në kundërshtim direkt me atë që fillimisht ishte paraparë dhe ishim marrë vesh”, kishte shkruar Thaçi.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu