Një vajzë 24-vjeçare nga Ferizaj ka qenë viktimë e trafikimit për disa muaj rresht. Personi që dyshohet se manipuloi me të e ka trafikuar të paktën edhe te gjashtë persona të tjerë, për ofrimin e shërbimeve seksuale. Si pasojë e trafikimit, ajo ka mbetur shtatzënë dhe shumë shpejt pritet ta sjellë në jetë një fëmijë.

Sipas raporteve mjekësore, viktima ka aftësi të zvogëluar mendore dhe përveç keqtrajtimit nga personat e dyshuar, ajo është sulmuar fizikisht edhe nga motra e saj, pasi edhe kjo e fundit ka aftësi të zvogëluar mendore.

Për gjendjen shëndetësore të viktimës, Gazeta Express ka biseduar me Udhëheqësen e Shërbimeve Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, ajo tha se rasti i 24-vjeçares është referuar në muajin gusht, e cila më pas ka qëndruar pesë ditë në strehimore dhe aktualisht ndodhet te familja e saj biologjike.

“Rasti i saj është referuar si “dhunë në familje”, ajo është keqtrajtuar prej motrës së saj e cila po ashtu ka aftësi të zvogëluar mendore. Ndërsa viktimën e ka referuar në polici gjyshja e saj. Më pas ka qenë në strehimore për pesë ditë, tani është kthyer te familja biologjike e saj”, tha Rexhepi-Braha

Ajo tha se 24-vjeçarja ka bërë disa muaj të shtatzënisë dhe sipas vizitave mjekësore dhe gjinekologut, fëmija është mirë dhe ka peshë normale.

Rasti i saj mbështetet nga Qendra për Punë Sociale në Ferizaj, institucion ky që i ofron shërbime psiko-sociale, vizita gjinekologjike, këshilla etj.

Policia e Kosovës e ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin kryesor për trafikimin e 24-vjeçares, i cili dyshohet se e ka trafikuar me persona të ndryshëm dhe në lokacione të ndryshme. Bëhet fjalë për të paktën gjashtë persona të tjerë, njëri nga ta shtetas i Shqipërisë, të cilët me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se ndaj të dyshuarit, prokurori i rastit do të bëjë kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas ekspertizës së mjekëve, vajza ka zhvillim të ulët mendor, ajo është viktimë e trafikimit dhe për rastin e saj është ndaluar një person. Prokurori i rastit do t’i zgjerojë hetimet dhe do të kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit”, tha Jashari

I pyetur nëse viktima është intervistuar nga prokurori, Jashari tha se 24-vjeçarja nuk është intervistuar akoma, pasi duhet bërë një ekspertizë për të konstatuar saktë zhvillimin e saj.

Gazeta Express merr vesh se në këtë fazë i dyshuari për trafikimin e 24-vjeçares ka mohuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, ndërsa mosha e tij është rreth 35 vjeç.

Policia ka njoftuar mëngjesin e sotëm se rasti i saj është hapur si “trafikim me njerëz”.

Njoftimi i plotë i policisë:

TRAFIKIM ME NJERËZ/Ferizaj Shkurt-Nëntor 2020 – NN. Është arrestuar i dyshuari m/k, pasi që i njëjti kishte shfrytëzuar dhe manipuluar viktimën f/k (me aftësi të zvogëluar mendore), duke e trafikuar me persona të ndryshëm, në lokacion të ndryshme. Lidhur me rastin, janë shoqëruar edhe gjashtë të dyshuar meshkuj, pesë m/k dhe një shtetas i R. Shqipërisë, nën dyshimin për shërbime seksuale të viktimës së trafikuar. Viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor në QPS Ferizaj dhe është vërtetuar se është me barrë (shtatzënë). Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa gjashtë të dyshuarit e shoqëruar janë liruar në procedurë të rregullt. /Express/

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu